Tiranë, 21 prill 2026 – OTP Bank Albania i është bashkuar Programit EU–KfW Western Balkans Guarantee përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me Albanian Development Guarantee Foundation (ADGF), duke rritur pjesëmarrjen e sektorit bankar në një instrument që synon të mbështesë financimin e ekonomisë reale.
Marrëveshja shënon hyrjen e OTP Bank Albania në rrjetin e institucioneve financiare partnere të programit dhe përfaqëson një hap të mëtejshëm në përdorimin e mekanizmave të garancisë si një mjet për të zgjeruar kapacitetin e kreditimit dhe për të mbështetur ndarjen e riskut.
Në një treg ku aksesi në financë mbetet një faktor kyç për rritjen e bizneseve, instrumente të tilla po përdoren gjithnjë e më shumë për të krijuar kushte më të favorshme financimi dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit bankar.
“Përfshirja e OTP Bank Albania forcon rrjetin e partnerëve që përdorin Garancinë e BE-KfW për Ballkanin Perëndimor dhe do të mundësojë që më shumë biznese të kenë akses në financë, me qëllimin përfundimtar për t’i përgatitur ato për tregun e BE-së, duke i bërë më rezistente dhe më konkurruese.
Në të njëjtën kohë, kjo i shtohet partneritetit të suksesshëm që kemi pasur deri tani me OTP dhe rrit kapacitetin tonë për të mbështetur sektorin privat përmes mekanizmave të qëndrueshëm të financimit,” tha znj. Gertjana Drita, Drejtore Ekzekutive e ADGF.
Z. Bledar Shella, Drejtor Ekzekutiv i OTP Bank Albania, theksoi se marrëveshja krijon bazën për thellimin e bashkëpunimit me ADGF dhe zgjerimin e përdorimit të instrumenteve që mbështesin aktivitetin kreditues.
Marrëveshja me OTP Bank Albania vjen pas zgjerimit të vazhdueshëm të rrjetit të partnerëve të programit, ndërsa ADGF vijon të forcojë bashkëpunimin me institucione të tjera financiare në kuadër të Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor










