Tiranë, 15 korrik 2026
Fondacioni Shqiptar për Garanci Zhvillimi (ADGF) ka rinovuar partneritetin me Raiffeisen Bank Shqipëri përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re në kuadër të Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja forcon bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM), veçanërisht në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe integrimit në tregjet europiane.
Duke u mbështetur në bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy institucioneve, marrëveshja e re integron më tej mekanizmin e garancisë së programit në aktivitetin kredidhënës të Raiffeisen Bank Shqipëri. Ky bashkëpunim synon të zgjerojë përdorimin e instrumenteve të garancisë, duke përmirësuar aksesin në financim për NVM-të dhe duke mbështetur investimet, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat.
Përmes këtij instrumenti, bizneset do të kenë mundësi të përfitojnë financim me kushte më të favorshme, duke reduktuar barrierat që lidhen me kërkesat për kolateral dhe duke krijuar më shumë mundësi për investime në modernizimin e proceseve, rritjen e kapaciteteve prodhuese, adoptimin e teknologjive të reja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Znj. Gertjana Drita, Drejtore Ekzekutive e ADGF, u shpreh:
“Rinovimi i partneritetit me Raiffeisen Bank Shqipëri përfaqëson një hap të rëndësishëm në vijimin e mbështetjes për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri. Përmes instrumenteve të garancisë synojmë të krijojmë më shumë mundësi financimi për bizneset shqiptare, duke mbështetur investimet, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat. Bashkëpunimi me institucione financiare partnere si Raiffeisen Bank Shqipëri mbetet thelbësor për të kthyer këto instrumente në rezultate konkrete për ekonominë shqiptare.”
Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Shqipëri, u shpreh:
“Rinovimi i partneritetit tonë me Albanian Development Guarantee Foundation dëshmon bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy institucioneve tona dhe angazhimin e përbashkët për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Përmes këtij instrumenti garancie vijojmë të zgjerojmë mundësitë e financimit për bizneset shqiptare, duke i ndihmuar ato të investojnë, të rriten dhe të bëhen më konkurruese. Besojmë se një sektor privat më i fortë kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.”
Kjo marrëveshje është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të ADGF për zbatimin e Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare partnere, duke kontribuar në zhvillimin e një sektori më të qëndrueshëm dhe konkurrues të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri.










