14 maj 2026
Fondacioni Shqiptar i Garancisë për Zhvillim (ADGF) dhe Credins Bank kanë nënshkruar një marrëveshje të re garancie në kuadër të programit “EU Western Balkans Guarantee”, duke forcuar më tej bashkëpunimin mes dy institucioneve në mbështetje të zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë shqiptare.
Marrëveshja u nënshkrua nga Z. Maltin Korkuti, CEO i Credins Bank, dhe Znj. Gertjana Drita, Drejtoreshë Ekzekutive e ADGF, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për të përmirësuar aksesin në financim për sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) në Shqipëri.
Credins Bank zë një vend të veçantë në historinë institucionale të ADGF-së, pasi ishte banka e parë me të cilën ADGF nisi bashkëpunimin në vitin 2016. Gjatë dhjetë viteve të fundit, ky partneritet ka mbështetur përdorimin e instrumenteve të garancisë si një mekanizëm efektiv për lehtësimin e kreditimit të NMVM-ve, veçanërisht të atyre që përballen me kufizime në kolateral ose me akses të kufizuar në financim tradicional.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të re shënon një forcim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi afatgjatë dhe pasqyron angazhimin e përbashkët të ADGF dhe Credins Bank për të vijuar mbështetjen e bizneseve shqiptare përmes mekanizmave të qëndrueshëm të financimit.
Si një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Europian, programi “EU Western Balkans Guarantee” synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset që shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e kolateralit apo në përfitimin e instrumenteve tradicionale të kreditimit. Përmes këtij mekanizmi garancie, programi synon të krijojë më shumë mundësi financimi, të nxisë investimet dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.
Bashkëpunimi mes ADGF dhe Credins Bank përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ekosistemit financiar për bizneset shqiptare, duke kontribuar njëkohësisht në krijimin e vendeve të reja të punës dhe afrimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare me standardet dhe praktikat europiane.
Kjo marrëveshje është pjesë e angazhimit më të gjerë të ADGF me sektorin bankar në kuadër të programit “EU Western Balkans Guarantee”, duke vijuar misionin për të ndërtuar një mjedis biznesi më të qëndrueshëm, konkurrues dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri.







