8 maj 2026
Albanian Development Guarantee Foundation (ADGF) dhe BKT kanë nënshkruar një Marrëveshje të re Partneriteti në kuadër të Programit të Garancisë EU–KfW Western Balkans Guarantee Programme, duke forcuar më tej bashkëpunimin e tyre në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Shqipëri.
Marrëveshja synon zgjerimin e aksesit në financë për bizneset përmes përdorimit të instrumenteve të garancisë, duke mbështetur investimet, rritjen e biznesit dhe forcimin e qëndrueshmërisë në një mjedis ekonomik gjithnjë e më konkurrues.
Përmes kësaj dritareje të re të garancisë të mbështetur nga Bashkimi Evropian, bizneset do të përfitojnë mundësi më të mira financimi dhe akses të zgjeruar në kreditim bankar, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vend.
Marrëveshja u nënshkrua nga znj. Gertjana Drita, Drejtore Ekzekutive e ADGF, dhe z. Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT.
Ky partneritet përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në bashkëpunimin e vazhdueshëm të ADGF me sektorin bankar dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e sipërmarrjes në Shqipëri.








