Skip to content

Vend i lirë pune – Menaxher Risku

Albanian Development Guarantee Foundation (ADGF)
Tirana | Full-time

Menaxheri i Riskut është përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e funksionit të përgjithshëm të menaxhimit të riskut në ADGF, duke siguruar që të gjitha risqet që lidhen me aktivitetet e institucionit të identifikohen, vlerësohen, monitorohen dhe menaxhohen në mënyrë të duhur, në përputhje me politikat e brendshme, kërkesat e donatorëve dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Njëkohësisht, ky pozicion është përgjegjës edhe për funksionin e përputhshmërisë, duke siguruar përputhshmëri me kërkesat e autoriteteve rregullatore, donatorëve apo partnerëve të zhvillimit, si dhe me kuadrin e brendshëm operacional.
Roli përfshin mbikëqyrje strategjike të risqeve në tërësi, bashkëpunim me institucionet financiare partnere, si dhe raportim të drejtpërdrejtë tek Bordi i Drejtorëve dhe menaxhimi ekzekutiv.

Përgjegjësitë Kryesore
• Zhvillon dhe përmirëson vazhdimisht metodologjitë për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e risqeve në të gjitha aktivitetet e ADGF;
• Siguron zbatimin efektiv të politikave të menaxhimit të riskut dhe që të gjitha ekspozimet të qëndrojnë brenda limiteve të miratuara dhe tolerancës ndaj riskut, si dhe përputhshmërinë me politikat e brendshme dhe kërkesat ligjore dhe rregullatore në fuqi;
• Mbikëqyr riskun e garancive të kredive dhe monitoron cilësinë dhe performancën e portofolit të garantuar;
• Rishikon dhe vlerëson propozimet lidhur me limitet e portofolit të garancive, limitet e ekspozimit ndaj PFI-ve dhe kufijtë e tjerë të lidhur me riskun;
• Rishikon në mënyrë periodike klasifikimin e kredive bazuar në raportet e brendshme dhe siguron krijimin në kohë dhe në mënyrë të përshtatshme të provigjioneve;
• Rishikon dhe miraton kërkesat për ristrukturim kredish dhe për kredi të kërkuara për pagesë, si dhe ndjek procesin e rikuperimeve në bashkëpunim me Menaxherët e Portofolit, duke siguruar zbatimin e parimit pari-passu;
• Përgatit dhe paraqet raporte dhe analiza mbi riskun dhe përputhshmërinë për Drejtorin Ekzekutiv, Komitetin e Menaxhimit të Riskut dhe Bordin e Drejtorëve;
• Analizon trendet e portofolit, përfshirë kreditë me probleme (NPL), pagesat (claims) dhe rikuperimet, duke ofruar rekomandime të bazuara në analizën e riskut për mbështetjen e vendimmarrjes;
• Ofron kontribut nga këndvështrimi i riskut në kontrata të rëndësishme, iniciativa strategjike dhe produkte apo skema të reja garancie;
• Kryen due diligence për bankat dhe institucionet mikrofinanciare partnere, duke përfshirë zhvillimin e metodologjive të brendshme të vlerësimit dhe monitorimin e vazhdueshëm të performancës së tyre financiare;
• Propozon dhe zbaton përmirësime në proceset dhe procedurat e menaxhimit të riskut dhe në kuadrin e brendshëm institucional, duke përfshirë identifikimin e boshllëqeve, hetimin e rasteve të mospërputhshmërisë apo parregullsive dhe sigurimin e dokumentimit dhe ndjekjes së duhur.

Kualifikime dhe Eksperiencë
• Diplomë universitare në Financë, Ekonomi, Menaxhim Risku ose fusha të ngjashme;
• Minimumi 5–7 vite eksperiencë përkatëse në menaxhim risku në banka, institucione financiare ose institucione të financimit zhvillimor;
• Njohuri të forta mbi menaxhimin e riskut në nivel të përgjithshëm, përfshirë risqet financiare, operacionale dhe të portofolit;
• Aftësi të forta analitike, vendimmarrëse dhe drejtuese;
• Njohuri të avancuara në Excel dhe aftësi të mira raportimi;
• Aftësi shumë të mira komunikimi në gjuhën angleze.

Çfarë Ofrojmë
• Një mjedis pune profesional dhe të qëndrueshëm;
• Ekspozim ndaj institucioneve financiare, donatorëve ndërkombëtarë dhe aktiviteteve të financimit zhvillimor;
• Mundësi për zhvillim dhe rritje profesionale;
• Paketë konkurruese shpërblimi, në përputhje me eksperiencën dhe kualifikimet.

Kandidatët e interesuar ftohen të dërgojnë CV-në e tyre në adresën [email protected] deri më 10 maj 2026.

Gertjana Drita

Drejtore Ekzekutive

Gertjana iu bashkua ADGF-së në fillim të vitit 2020 dhe aktualisht mban pozicionin e Drejtores Ekzekutive të fondacionit.
Ajo vjen me një eksperiencë prej më shumë se 15 vitesh në sektorin bankar, duke mbajtur pozicione drejtuese në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe Departamentin e Biznesit SME.
Gertjana është diplomuar për Financë dhe Kontabilitet në Universitetin e Tiranës dhe ka marrë pjesë në shumë programe ndërkombëtare trajnimi.

Laureta Domi

Menaxhere e Garancive

Laureta iu bashkua ADGF në fillim të vitit 2022 dhe aktualisht mban pozicionin e Menaxheres së Garancive në fondacion.
Ajo është Menaxhere e Lartë Finance dhe Banke me eksperiencë prej 19 vitesh në ndërtim ekipi, udhëheqje, efektivitet në shitje, eksperiencë me klientët dhe menaxhim portofoli.
Laureta ka diplomë Bachelor dhe Master Shkencor në Menaxhim nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës si dhe një Diplomë Master në Financë dhe Bankë nga Instituti Universitaire Kort Bosch, në Zvicër, si dhe shumë kurse dhe trajnime të çertifikuara. Ajo gjithashtu është lektore në Universitetin Aleksandër Moisiu.

Ermir Çoba

Menaxher Portofoli Agro & RE

Ermiri iu bashkua ADGF-së në Maj të vitit 2022 dhe është përgjegjës për menaxhimin e portofolit të garancive Agro dhe Energji Eficense/Rinovueshme.
Ai ka një eksperiencë prej rreth 15 vitesh në sistemin bankar dhe mikrofinancës, duke mbajtur pozicione të ndryshme, të lidhura me analizën financiare të kredive, raportimin dhe vlerësimin e riskut.
Ermiri është diplomuar për Kontabilitet në Universitetin e Tiranës dhe mban gjithashtu edhe disa certifikime kombëtare e ndërkombëtare në fushën e kontabilitetit, manaxhimin e riskut, analizën financiare, kreditimin në bujqësi etj.

Aurela Tomini

Menaxhere Portofoli

Aurela iu bashkua ADGF në Nëntor 2025 si Menaxhere Portofoli. Ajo është një profesioniste me përvojë në sektorin bankar, me dy dekada në industrinë financiare, duke mbajtur role të ndryshme në shitje, menaxhim risku dhe zhvillim produktesh.
Aurela ka përfunduar studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku mori diplomën Bachelor në Agro-Biznes në vitin 2005. Gjatë karrierës, ajo ka ndjekur edhe një sërë trajnimesh profesionale, të cilat kanë forcuar më tej njohuritë e saj në operacionet bankare, proceset e kreditimit dhe analizën financiare.

 

Besiana Lika

Menaxhere e Financës & Riskut

Besiana iu bashkua ADGF-së në vitin 2016 dhe është përgjegjëse për menaxhimin e financave dhe aspekteve të riskut të fondacionit. Gjithashtu, shërben si Sekretare e Bordit të Drejtorëve.
Ajo ka eksperiencë në fushën e financës, kontabilitetit, riskut dhe analizës së biznesit
Besiana u diplomua në nivelin Bachelor për degën Financë dhe Kontabilitet në vitin 2012 dhe në nivelin Master i Shkencave në Financë në vitin 2014, pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Që prej diplomimit, njëkohësisht ajo është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë këtij fakulteti.

Stelina Shefqeti

Oficere Finance & Administrimi

Stelina iu bashkua ADGF-së në vitin 2021 dhe është përgjegjëse për aktivitetet fnanciare dhe administrative të fondacionit.
Stelina u diplomua në nivelin Bachelor për degën Financë në vitin 2020 dhe në nivelin Master i Shkencave në Financë në vitin 2022 pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Gjithashtu, ajo ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale të lidhura kryesisht me kontabiliten, analizën financiare dhe modelimin financiar.