Tiranë, 6 Maj 2026 — Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim (ADGF) ka zgjeruar bashkëpunimin me ProCredit Bank përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re në kuadër të Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja forcon angazhimin e përbashkët e të dy institucioneve për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM), veçanërisht në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe integrimit në tregjet europiane.
Duke u mbështetur në një partneritet të konsoliduar, marrëveshja e re integron më tej mekanizmin e garancisë së programit në aktivitetin kredidhënës të ProCredit Bank. Ky bashkëpunim i zgjeruar mundëson përdorim më të madh të instrumenteve të strukturuara të garancisë, duke lehtësuar aksesin në financë për NVM-të dhe njëkohësisht duke mbështetur menaxhimin e kujdesshëm të riskut në sektorin bankar.
“Bashkëpunimi me partnerë afatgjatë si ProCredit Bank i mundëson programit të funksionojë në mënyrë efikase dhe në shkallë të gjerë brenda sistemeve financiare të konsoliduara,” u shpreh znj. Gertjana Drita, Drejtore Ekzekutive e ADGF.
ProCredit Bank theksoi se marrëveshja është në përputhje me qasjen e saj ndaj kredidhënies së përgjegjshme dhe të strukturuar, duke ofruar fleksibilitet shtesë për zgjerimin e financimit të bizneseve dhe mbështetjen e rritjes së tyre në një mjedis tregu më konkurrues dhe të integruar.
Kjo marrëveshje është pjesë e angazhimit më të gjerë të ADGF me sektorin bankar në kuadër të Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në zhvillimin e një sektori më të qëndrueshëm dhe konkurrues të NVM-ve në Shqipëri.








