Skip to content

KfW mbështet ADGF në misionin e saj për të mundësuar aksesin në financimin e Start-up-eve me një grant prej 6 milionë Euro

Më datë 26 Nëntor 2021, Drejtori i KfW për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Dr. Klaus Müller dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptar të Garancive për Zhvillim (ADGF), Z. Bajram Korsita, nënshkruan marrëveshjen e financimit për grantin me vlerë prej 6 milion Euro të mundësuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW. Këto fonde do të rrisin kapitalin garantues, të kontribuar në ADGF në vitin 2020 në shumën prej 6.7 milion Euro dhe do të përdoren për të mbështetur sektorin privat në përballimin e efekteve të pandemisë së COVID-19.

Ky grant do të mundësojë që ADGF të zgjerojë më tej mbështetjen për bizneset shqiptare që po rimëkëmben nga ndikimi negativ i pandemisë COVID-19.  Përdorimi i këtij kontributi do të përqendrohet në mbështetjen e sipërmarrjeve të reja (Start-up), p.sh. ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që janë regjistruar jo më larg se 24 muajt e fundit, pasi ky target grup përballet me sfida të veçanta në lidhje me financimin. Kjo “Dritare e Start-up” do të përfshijë asistencë teknike të financuar nga granti, për sipërmarrësit dhe për institucionet financiare partnere për të mundësuar financimin e start-up.

Aktualisht, ADGF është partnere me 6 banka lokale si dhe 6 institucione financiare jo-bankare. Që nga themelimi i saj, ADGF ka garantuar një numër total prej rreth 8,200 kredish, me shumë totale prej rreth 47 milion Euro. ADGF ka kontribuar në krijimin e rreth 5,500 vendeve të reja të punës, duke ruajtur rreth 8,800 vende ekzistuese pune.