Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim – ADGF shënoi dhjetëvjetorin e tij, duke festuar një dekadë bashkëpunimi, ndikimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm në tregun financiar shqiptar.
Eventi mblodhi rreth 100 të ftuar, përfshirë përfaqësues të institucioneve financiare partnere, donatorë ndërkombëtarë, përfaqësues të qeverisë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë që kanë kontribuar në rrugëtimin e fondacionit ndër vite.
Fjalën e hapjes e mbajti znj. Gertjana Drita, Drejtoreshë Ekzekutive e ADGF, e cila përmblodhi zhvillimin e fondacionit që nga themelimi në vitin 2015, duke vënë theksin te roli kyç i donatorëve dhe partnerëve financiarë në rritjen e aksesit në financë për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe në forcimin e sistemit financiar përmes asistencës teknike.

Në vijim, të pranishmit dëgjuan mesazhe përshëndetëse nga partnerët ndërkombëtarë:
– Sh.T.Z. Karlfried Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, vlerësoi kontributin e ADGF në forcimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes garancive të mbështetura nga qeveria gjermane.

– Znj. Jenni Lundmark, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri për Zhvillimin e Sektorit Privat dhe Barazinë Gjinore, theksoi rëndësinë e programeve të garancisë si instrumente kyçe për promovimin dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

– Z. Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përshëndeti angazhimin e ADGF në mbështetjen e sektorit bujqësor dhe rural, përmes garancive që rrisin konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe znj. Anila Denaj, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetare e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, si e ftuara e nderit.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve të mirënjohjes për institucionet financiare partnere, të vlerësuara si bashkëpunëtorët më të rëndësishëm në historinë e suksesit të kësaj dekade.
Pesë çmime simbolike iu akorduan institucioneve NOA, FED Invest, OTP Bank, ProCredit Bank dhe Union Bank, në shenjë vlerësimi për partneritetin e qëndrueshëm dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Eventi i dhjetëvjetorit përmblodhi në një mbrëmje të vetme mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin e ADGF – partnerë, donatorë dhe bashkëpunëtorë – duke shënuar njëkohësisht fillimin e një dekade të re zhvillimi, inovacioni dhe ndikimi të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare.
Në këtë kuadër, ADGF prezantoi edhe identitetin e ri vizual të fondacionit, përfshirë një logo të re që simbolizon zhvillimin dhe transformimin e misionit dhe vizionit të tij, duke hapur një fazë të re bashkëpunimi dhe rritjeje.






