Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim – ADGF festoi 10-vjetorin e tij, duke shënuar një dekadë bashkëpunimi, ndikimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm në tregun financiar shqiptar.
Eventi mblodhi rreth 100 të ftuar, përfaqësues nga institucionet financiare partnere, donatorë ndërkombëtarë, përfaqësues të qeverisë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të fondacionit gjatë viteve.
Fjalën e hapjes e mbajti znj. Gertjana Drita, Drejtoresha Ekzekutive e ADGF, e cila përmblodhi rrugëtimin e fondacionit që nga themelimi i tij në vitin 2015, duke theksuar rolin e donatorëve dhe partnerëve financiarë në rritjen e aksesit në financë për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme dhe në forcimin e sistemit financiar përmes asistencës teknike.

Në vijim, të pranishmit dëgjuan mesazhe përshëndetëse nga partnerët ndërkombëtarë:
– Sh.T.Z. Karlfried Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, vlerësoi kontributin e ADGF në forcimin e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik përmes garancive të mbështetura nga qeveria gjermane.

– Znj. Jenni Lundmark, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri për Zhvillimin e Sektorit Privat dhe Barazinë Gjinore, theksoi rëndësinë e programeve të garancisë si instrument kyç në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

– Z. Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përshëndeti punën e ADGF për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe rural përmes garancive që forcojnë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe znj. Anila Denaj, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetare e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, si e ftuara e nderit.
Një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve të mirënjohjes për institucionet financiare partnere, të cilat u vlerësuan si bashkëpunëtorët më të mirë në historinë e suksesit të kësaj dekade.
Pesë çmime simbolike iu akorduan institucioneve NOA, FED Invest, OTP Bank, ProCredit Bank dhe Union Bank, si vlerësim për partneritetin e qëndrueshëm dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Eventi i 10-vjetorit përmblodhi në një mbrëmje të vetme mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e ADGF, partnerë, donatorë dhe bashkëpunëtorë, duke shënuar kështu fillimin e një dekade të re zhvillimi, inovacioni dhe ndikimi të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare.
Në këtë kuadër, ADGF prezantoi gjithashtu identitetin e ri vizual të fondacionit, me një logo të re që simbolizon zhvillimin dhe transformimin e misionit dhe vizionit të tij në një fazë të re zhvillimi dhe bashkëpunimi.
