Tiranë, 22 janar 2026 – Programi i Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor u prezantua në Tiranë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e aksesit në financë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) në Shqipëri.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Financave, Bashkimit Evropian, Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim përmes KfW-së, Fondacionit Shqiptar të Garancisë së Zhvillimit (ADGF), institucioneve financiare partnere, si dhe aktorë të tjerë kyç nga sektori financiar dhe ai i zhvillimit.

Në fjalën e tij, Z. Endrit Yzeiraj, Zëvendësministër i Financave i Republikës së Shqipërisë, vlerësoi rolin e ADGF-së si një aktor institucional kyç në ekosistemin e financimit të zhvillimit në vend, duke nënvizuar kontributin e saj në forcimin e arkitekturës financiare të Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare vendase.

Duke përfaqësuar Bashkëpunimin Gjerman për Zhvillim, Z. Iven Schad, Kreu i Bashkëpunimit për Zhvillim pranë Ambasadës Gjermane, theksoi angazhimin afatgjatë të Gjermanisë për mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit privat përmes Bankës Gjermane të Zhvillimit KfW, duke evidentuar se Garancia BE–KfW kontribuon jo vetëm në ndarjen e riskut, por edhe në forcimin e institucioneve dhe tregjeve në përputhje me praktikat evropiane.

Znj. Jenni Lundmark, Menaxhere Programi pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për përmirësimin e aksesit të NVM-ve në financë si një faktor kyç për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë, duke theksuar se instrumentet e garancisë ndihmojnë në adresimin e boshllëqeve të tregut, mobilizimin e kapitalit privat dhe përafrimin e sektorit financiar të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

Në fjalën e saj, Znj. Gertjana Drita, Drejtore Ekzekutive e ADGF-së, prezantoi rolin e ADGF-së si institucioni zbatues i skemës së garancisë në Shqipëri, si dhe angazhimin e Fondacionit për transparencë, qeverisje të mirë dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare partnere.

Gjatë aktivitetit u prezantua gjithashtu një vlerësim tregu mbi aksesin në financë për NVM-të në Shqipëri, nga Znj. Senida Mesi, i cili konfirmoi se kufizimet në financim vazhdojnë të mbeten një nga sfidat kryesore për rritjen e NVM-ve, duke theksuar rëndësinë e Programit të Garancisë BE–KfW në adresimin e boshllëqeve të identifikuara të tregut.
Programi i Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor kontribuon në forcimin e sektorit financiar në Shqipëri, mbështet zhvillimin e sektorit privat dhe mbështet përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.






