Skip to content

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit midis ADGF dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania

Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim (ADGF), kanë nënshkruar një marrëveshje garancie për të mbështetur Biznesin e Vogël në Shqipëri. Marrëveshja dypalëshe synon të lehtësojë financimin për Biznesin e Vogël në formën e Instrumentit Individual të Garancisë për kreditë dhe përfituesit e kualifikuar. Eventi i nënshkrimit u mbajt në ambientet e Bankës.

Z. Alessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, tha: “Qëllimi dhe objektivi ynë është të mbështesim këtë segment të Biznesit të Vogël duke ofruar produkte dhe shërbime për të zhvilluar më tej sektorët ekonomikë ku ato operojnë dhe gjithashtu duke ju dhënë Bizneseve të Vogla mundësi për t’u rritur duke u bërë kështu më konkurruese në treg.”

Z. Bajram Korsita, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptar të Garancive për Zhvillim , u shpreh se: “ADGF vlerëson bashkëpunimin me Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe nëpërmjet mekanizmit të saj të garancisë synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të kenë akses në financime, me qëllimin përfundimtar të rritjes dhe zhvillimit të tyre ne treg, si dhe të ruajtjes ose krijimit të punësimit në Shqipëri.”